Izraeli dhe Hamasi kanë filluar bisedime indirekte në Egjipt, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje paqeje për t’i dhënë fund luftës më shumë se dyvjeçare në Rripin e Gazës.
Të dyja palët kanë sinjalizuar mbështetjen për planin e paqes të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili parasheh lirimin e pengjeve dhe të burgosurve palestinezë, si dhe një armëpushim të menjëhershëm.
Bisedimet po mbahen në Sharm el-Sheikh, në prag të përvjetorit të dytë të ofensivës izraelite në Gaza, dhe janë përshkruar nga diplomatët si përpjekja më serioze deri më tani për t’i dhënë fund luftës, e cila ka vrarë dhjetëra mijëra palestinezë dhe ka shkatërruar infrastrukturën e enklavës.
Kush po merr pjesë në bisedime?
Delegacionin amerikan e udhëheq i dërguari special Steve Witkoff, ndërsa Jared Kushner, dhëndri dhe ish-këshilltari i Trump, pritet t’i bashkohet më vonë.
Pala izraelite përfaqësohet nga Ron Dermer, negociatori kryesor, dhe Ophir Falk, këshilltar për politikën e jashtme i kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Nga ana tjetër, Khalil al-Hayyah kryeson delegacionin e Hamasit, i cili ka mbërritur në Egjipt për të diskutuar detajet e fazës së parë të marrëveshjes.
Sipas Netanyahut, negociatat do të zgjasin “vetëm disa ditë”, ndërsa Trump ka paralajmëruar se Hamasi duhet të veprojë shpejt “përndryshe të gjitha opsionet do të anulohen”.
Si parashikohet të zbatohet plani i Trump?
Plani 21-pikësh i paqes parashikon ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve.
Hamasi do të duhet të lirojë të gjithë pengjet – të gjallë ose të vdekur – brenda 72 orëve, ndërsa Izraeli do të lirojë 250 të burgosur me dënime të përjetshme dhe 1,700 të tjerë të ndaluar që nga fillimi i luftës, përfshirë gra e fëmijë.
Izraeli gjithashtu do të dorëzojë trupat e 15 palestinezëve për çdo peng izraelit të dorëzuar.
Në vijim, trupat izraelite do të tërhiqen gradualisht nga Gaza, ndërsa një forcë ndërkombëtare sigurie do të marrë kontrollin e zonës.
Për qeverisjen e përkohshme, parashihet formimi i një administrate teknokratësh palestinezë, nën mbikëqyrjen e Trump dhe ish-kryeministrit britanik Tony Blair, që do të drejtojnë procesin e rindërtimit dhe rimëkëmbjes.
Hamasi do të përjashtohet nga qeverisja, dhe strukturat e tij ushtarake do të çmontohen plotësisht.
Anëtarët që pranojnë paqen do të amnistohen, ndërsa atyre që duan të largohen do t’u ofrohet kalim i sigurt.
Ndihmat ndërkombëtare, të parashikuara në nivelin e 600 kamionëve në ditë, do të dërgohen në Gaza për të lehtësuar krizën humanitare, nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara.
Çfarë mbetet e paqartë?
Pavarësisht entuziazmit fillestar, pasiguritë rreth planit janë të shumta.
Çështjet kryesore përfshijnë çarmatimin e Hamasit, kohën e lirimit të pengjeve dhe strukturën e administratës së përkohshme.
Zyrtarë të Hamasit kanë sinjalizuar se mund të duhen ditë ose javë për të gjetur trupat e pengjeve nën rrënoja, ndërsa disa drejtues të grupit kanë deklaruar se do ta kundërshtojnë administrimin e huaj të Gazës.
Netanyahu ka bërë të qartë se Izraeli e ka pranuar planin “në tërësinë e tij” dhe ka paralajmëruar se do të ndërmarrë “masa të rënda ushtarake” nëse Hamasi nuk e pranon.
“Kjo është një ofertë merre ose lëre,” tha ai, duke përjashtuar çdo ndryshim në tekstin ose zbatimin e marrëveshjes.
Bisedimet në Egjipt pritet të jenë test kyç për fatin e paqes në Lindjen e Mesme, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vëzhgon me kujdes nëse plani i Trump do të mund të ndalë përfundimisht luftën që ka tronditur rajonin për më shumë se dy vjet.