Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, u prit në Berlin nga Ministri i Shtetit për Evropë i Gjermanisë, Gunther Krichbaum, në ditën e dytë të vizitës zyrtare.
Bislimi e informoi Krichbaum-in për zhvillimet ekonomike dhe politike në Kosovë, duke theksuar rritjen ekonomike, uljen e papunësisë, rritjen e prodhimit vendor, si dhe përparimin në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Fokusi kryesor ishte procesi i integrimit evropian. Bislimi nënvizoi nevojën për pranimin e pyetësorit nga BE-ja dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, si hap kyç për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës. Po ashtu, ai vuri theksin te përfundimi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës, si pjesë e rrugëtimit euro-atlantik.
Në takim u diskutua edhe situata aktuale në vend, zhvillimet në rajon dhe procesi i dialogut. Bislimi falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme. Takimit iu bashkua edhe ambasadori i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti.

