Të paktën 24 persona të moshuar humbën jetën dhe 19 të tjerë u plagosën pas një sulmi ajror rus në fshatin Yarova, rreth 24 km nga qyteti i Slovianskut në Ukrainën lindore, njoftuan zyrtarët lokalë. Viktimat po prisnin për të marrë pensionet e tyre kur një bombë goditi direkt mbi civilët.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, reagoi menjëherë përmes rrjeteve sociale, duke publikuar pamje të viktimave dhe duke kërkuar ndërhyrje ndërkombëtare. “Direkt mbi njerëzit. Civilë të zakonshëm. Pikërisht në momentin kur po shpërndaheshin pensionet. Bota nuk duhet të heshtë. Duhet një përgjigje nga Shtetet e Bashkuara, nga Europa dhe nga G20,” shkroi ai.
Rusia nuk ka komentuar menjëherë për sulmin. Megjithatë, Moska vazhdon të mohojë se ka synuar civilët, pavarësisht se dhjetëra mijëra persona kanë humbur jetën që nga pushtimi i saj i plotë në Ukrainë, nisur në shkurt 2022.
Ky sulm vjen ndërsa tensionet në Donbas vazhdojnë të jenë të larta, dhe aksionet ushtarake ruse vijojnë të godasin zona civile, duke përkeqësuar situatën humanitare në rajon.