Banka Qendrore Evropiane (BQE) po përgatitet për një nisje të fuqishme të euros dixhitale, duke synuar që sistemi i ri të përpunojë mbi 50 miliardë transaksione në vit që nga faza e parë e implementimit. Dokumente të brendshme, të cituara nga Politico, sugjerojnë se euro dixhitale mund të marrë deri në 40% të tregut të pagesave me pakicë, duke sfiduar kartat e pagesave tradicionale si Visa dhe Mastercard.
Sipas projeksioneve, nëse euro dixhitale arrin kapacitetin e plotë, ajo mund të zëvendësojë më shumë se një të tretën e transaksioneve që sot kryhen përmes kartave. Vetëm në vitin e kaluar, kartat u përdorën për mbi 84 miliardë transaksione, me vlerë prej 3.2 trilionë eurosh në eurozonë.
Qëllimi: më pak varësi nga gjigantët globalë
BQE thekson se synon të reduktojë varësinë e Evropës nga kompanitë amerikane të pagesave dhe të forcojë autonominë strategjike të unionit. Dy të tretat e transaksioneve aktuale kryhen përmes skemave ndërkombëtare, ndërsa në disa shtete anëtare mbi gjysma e tregut dominohet nga zgjidhje jo-evropiane.
Reagimi i sektorit bankar
Bankat dhe ofruesit privatë të pagesave shohin rrezik në këtë zhvillim. Sipas Payments Europe, euro dixhitale mund të dëmtojë modelet e të ardhurave të bazuara në komisione dhe të shterojë depozitat bankare, nëse qytetarët zgjedhin ta mbajnë valutën e re në portofolet elektronike.
Nga ana tjetër, BQE argumenton se projekti hap mundësi të reja biznesi për bankat evropiane, të cilat mund të ofrojnë portofole dhe shërbime shtesë për klientët.
Publiku ende skeptik
Ndërsa zhvillimi teknik i projektit ka marrë vrull, perceptimi publik mbetet i ndarë. Një sondazh i BearingPoint tregoi se rreth 33% e qytetarëve të eurozonës do ta përdornin euron dixhitale, ndërsa një tjetër nga Payments Europe zbuloi se 56% e konsumatorëve janë të pasigurt për adoptimin e saj.
Hapat e ardhshëm
Për zbatimin e plotë, projekti kërkon miratim ligjor nga Parlamenti Evropian dhe një financim prej rreth 1.5 miliardë eurosh. Viti 2028 shihet si data më e hershme për lançimin e mundshëm të euros dixhitale.