Procesi i numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut është ndalur mbrëmë përkohësisht, pas dyshimeve për manipulim gjatë balotazhit të së dielës. Vendimi është marrë pasi janë raportuar parregullsi në disa fletëvotime, ku është vërejtur se disa nga numrat serikë nuk përputheshin.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë njoftoi se ka nisur hetimet, ndërsa fletëvotimet janë sekuestruar me qëllim verifikimi dhe krahasimi.
Ndërkohë, sot ka reaguar edhe kompania sllovene “Cetis”, e cila është kontraktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shtypjen e fletëvotimeve.
Përfaqësuesi i kompanisë, Damijan Demir, konfirmoi se janë në dijeni për situatën dhe se janë në komunikim me institucionet në Kosovë.
“Jemi të njoftuar për problemin dhe jemi në kontakt me KQZ-në në Kosovë. Brenda 1 deri në 2 orë do të dalim me një njoftim zyrtar për këtë çështje,” tha ai për Indeksonline, transmeton Periskopi.
Pritet që deklarimi i kompanisë të sqarojë nëse bëhet fjalë për gabim teknik, seri të përziera, apo çështje tjetër që mund të ketë ndikuar në procesin e votimit dhe numërimit./Qendra.INFO

