Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e përdorimit të 25 miliardë eurove shtesë nga asete ruse të ngrira në llogari private brenda BE-së, për t’i shtuar vlerës prej 140 miliardë eurosh tashmë të bllokuara dhe për të financuar një kreditë të madhe për Ukrainën, sipas një dokumenti të brendshëm të Komisionit Evropian të siguruar nga POLITICO.
Sipas dokumentit, pjesa më e madhe e aseteve të ngrira të Moskës mban aktualisht në Euroclear — depozita financiare me seli në Belgjikë — dhe vlera totale e tyre shkon rreth 140 miliardë euro. Megjithatë, rreth 25 miliardë euro të tjera gjenden në llogari bankare private në shtete të ndryshme anëtare, dhe ekzekutivi i BE-së po vlerëson nëse këto fonde mund të përfshihen në Iniciativën e Kredisë së Dëmshpërblimit për Ukrainën.
Dokumenti paralajmëron se “fizibiliteti ligjor i zgjerimit të qasjes së Kredisë së Dëmshpërblimit drejt asete të tilla nuk është vlerësuar në detaje” dhe thekson nevojën për një analizë të plotë juridike përpara marrjes së ndonjë vendimi për hapat e mëtejshëm. Komisioni ka qarkulluar materialin në kryeqytetet e vendeve anëtare përpara një takimi ambasadorial mbi këtë temë.
Plani për kredi parashikon që udhëheqësit e BE-së të diskutojnë iniciativën gjatë samitit të ardhshëm në Bruksel dhe t’i kërkojnë Komisionit të paraqesë një propozim ligjor konkret. Zyrtarët presin që drafti të përgatitet shpejt dhe të shërbejë si bazë për negociatat e mëtejshme mbi inxhinierinë financiare të nevojshme. Ministrat e financave do të jenë të angazhuar në diskutim kur të takohen në nëntor.
Një nga çështjet kyçe që diskutohet është sistemi i garancive. Belgjika ka shprehur shqetësimin se Moska mund të ndjekë rrugën ligjore për të pretenduar kthimin e aseteve të sanksionuara, ndaj propozimi parashikon krijimin e strukturave kombëtare garancie dhe likuiditeti. Dokumenti sugjeron ngritjen e sistemit të garancive dypalëshe mes shteteve anëtare për t’u siguruar që BE-ja mund të përmbushë detyrimet e saj ndaj institucioneve si Euroclear dhe për t’u përgjigjur menjëherë çdo thirrjeje për pagesë.
Sipas planit, buxheti i ardhshëm shtatëvjeçar i BE-së (pas 2028) do të përfshijë një komponent mbrojtës që do të shërbejë si “jastëk financiar” për të mbuluar rreziqet e mundshme dhe për të siguruar që Brukseli të mund të përgjigjet ndaj angazhimeve të marra.
Sa i përket përdorimit të vetë fondeve, documenti parashikon që, pasi të lëshohet kredia, mjetet do të drejtohen kryesisht drejt zhvillimit të kapaciteteve teknologjike dhe industriale të mbrojtjes së Ukrainës dhe integrimit të saj në industrinë evropiane të mbrojtjes. Një pjesë e financimit mund të mbështesë gjithashtu buxhetin kombëtar të Ukrainës, nën kushte dhe mekanizma kontrolli të përcaktuara nga Komisioni.
Nëse do të miratohet, iniciativa do të përfaqësonte një hap jashtëzakonisht të rrallë: përdorimin e aseteve të ngrira të një shteti të huaj për të financuar një paketë mbështetjeje për një vend në luftë — një precedent me implikime të gjera ligjore, politike dhe financiare për BE-në dhe institucionet e saj.

