Kandidati i Aleancës për Koalicionin Evropian (AKI), Bujar Osmani, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale në komunën e Çairit, duke e cilësuar këtë përvojë si një mësim politik që duhet pranuar me dinjitet.
“Çairi ishte një mësim, dhe çdo mësim pranohet me dinjitet. E mora përgjegjësinë time dhe e përgëzova fituesin”, deklaroi Osmani përmes një postimi në rrjetet sociale, duke shtuar se dëshiron të lërë pas një trashëgimi të kulturës politike pozitive.
Megjithatë, ai nuk i kurseu kritikat ndaj kundërshtarëve, të cilët i akuzoi për arrogancë të tepruar pas fitores. “Arroganca e disave në VLEN po bëhet e gërditshme. Nuk e pranoj që për këtë arsye të nëpërkëmbet rezultati i BDI-së dhe koalicionit”, tha Osmani.
Ai rikujtoi se AKI ka marrë mbi 114 mijë vota në raundin e parë, duke e cilësuar këtë si dëshmi të forcës së saj si subjekti më i madh politik shqiptar dhe përfaqësues legjitim i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Osmani gjithashtu e mbrojti liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, duke e quajtur “ideologun dhe udhëheqësin e pakontestueshëm të shqiptarëve” dhe duke cilësuar fyerjet ndaj tij si shenjë dobësie morale. /Qendra.INFO

