Eugen Cakolli nga KDI e ka kritikuar qeverinë në detyrë për vendimet e fundit.
Ai ka bërë me dije se sipas Ligjit për Qeverinë, qeveria aktuale nuk ka mandat të iniciojë politika të reja publike dhe as të marrë vendime për krijimin e grupeve të reja punuese.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se qeveria Kurti nuk ka të drejtë të bëj një gjë të tillë sepse është qeveri në detyrë.
“Sipas frymës dhe përcaktimeve të Ligjit për Qeverinë, qeveria aktuale – që konsiderohet në dorëheqje – nuk ka mandat të iniciojë politika të reja publike, as të marrë vendime për krijimin e grupeve të reja punuese, e as të nisë procese të reja legjislative që prodhojnë efekte përtej periudhës së ushtrimit të kompetencave të saj të kufizuara. Kufizimet e vendosura për qeverinë në dorëheqje kanë për qëllim të parandalojnë pikërisht situatën kur një qeveri në largim përcakton prioritetet e qeverive që ende nuk janë formuar. Për më tepër, neni 31 i Ligjit për Qeverinë reflekton qartazi qëllimin e ligjvënësit që një qeveri në largim të mos ndërmarrë iniciativa që prodhojnë efekte politike dhe institucionale përtej mandatit të saj”, ka shkruar ai, duke shtuar se këto kufizime duhet të respektohen.
“Për këtë arsye, këto kufizime nuk duhet të shihen vetëm si ndalesë e aktit formal të miratimit të një projektligji, strategjie apo koncept-dokumenti. Kufizimet përfshijnë në thelb dhe logjikisht tërë ciklin vendimmarrës që çon te një akt i ri normativ. Kjo bëhet edhe më problematike kur bëhet fjalë për iniciativa tërësisht të reja, që nuk janë të parapara të miratohen në vitin aktual në ndonjë prej dokumenteve apo planifikimeve të qeverisë – siç e parasheh ligji; e që nuk burojnë nga ndonjë nevojë emergjente shtetërore dhe që nuk pritet të prodhojnë rezultate konkrete brenda kohës së limituar të qeverisë në dorëheqje”, ka shkruar ai.

