Chelsea ka rrëmbyer fronin e futbollit botëror për klube, duke fituar finalen e madhe të Botërorit të Klubeve me rezultat bindës 3-0 ndaj PSG-së.
Në një ndeshje të zhvilluar në stadiumin gjigant të New Jersey-t përballë mbi 82 mijë spektatorëve, skuadra e drejtuar nga Enzo Maresca dominoi kampionët e Europës dhe u kurorëzua si fituesi i parë i këtij turneu të ri të FIFA-s.
Palmer, njeriu i finales: gol, asist dhe spektakël
Chelsea e nisi furishëm ndeshjen. Pas vetëm 22 minutash, Cole Palmer shënoi golin e parë pas një aksioni të shpejtë dhe asisti të Malo Gusto-s. Vetëm 8 minuta më vonë, sërish Palmer, këtë herë si përfundues, finalizoi një pasim të Colwill duke dyfishuar rezultatin.
Joao Pedro vulosi fitoren me golin e tretë të shënuar në minutën e 39-të, pas një tjetër asisti nga Palmer – pa dyshim lojtari më i mirë i ndeshjes. Në pjesën e dytë, portieri Robert Sanchez u shfaq vendimtar, duke ndalur dy gola të sigurt nga Dembele dhe Vitinha. Ndeshja kulmoi me daljen me karton të kuq të Joao Neves të PSG-së dhe përplasje të tensionuara mes lojtarëve.
Pushim spektakolar 22-minutësh dhe Trump në tribunë
Një tjetër risi në këtë finale ishte pushimi mes pjesëve, i zgjatur në 22 minuta, për t’i lënë hapësirë një spektakli muzikor me yje ndërkombëtarë.
Në tribunat VIP ishin të pranishëm Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, bashkëshortja e tij Melania dhe kreu i FIFA-s, Gianni Infantino, së bashku me përfaqësues të lartë të dy klubeve dhe personalitete nga bota e sportit.
Fitore historike dhe fitim rekord për Blutë
Përveç trofeut prestigjioz, Chelsea arkëtoi 100 milionë dollarë, prej të cilave 50 milionë vinin direkt nga fitorja e finales, ndërsa pjesa tjetër nga ecuria gjatë turneut.
PSG do të largohet me 40 milionë dollarë, por performanca e dobët në ndeshjen vendimtare la shije të hidhur për skuadrën e Luis Enrique, që në letër ishte favorit.
Fund sezoni, fillim pushimesh
Me këtë finale madhështore, futbolli për klube mbyll sezonin 2024/25, ndërsa ekipet dhe lojtarët marrin disa javë pushim përpara nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri që do të startojë në muajin gusht.