Përfaqësuesi i Danimarkës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjatë seancës gjashtëmujore raportuese për UNMIK-un, ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbushin obligimet e marra nga Dialogu i Brukselit.
Sipas tij, Kosova duhet të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia të ndalë pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Ne i bëjmë thirrje të dyja palëve të rrisin angazhimin ndaj Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Siç ka theksuar Përfaqësuesi i ri Special për Dialogun, z. Peter Sørensen: ‘Është koha për të ecur përpara’,” tha përfaqësuesi danez.
Ai shtoi se disa marrëveshje të rëndësishme janë arritur tashmë përmes Dialogut, por tani është koha që ato të zbatohen në praktikë.

