Gjykata Themelore e Prishtinës ka miratuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të arritur ndërmjet Prokurorisë Themelore dhe kryetarit të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, në lidhje me akuzën për sulm ndaj një zyrtari policor gjatë protestës kundër shtrenjtimit të rrymës në janar të vitit 2022.
Prokurorja e rastit, Ardiana Veseli, deklaroi se i pandehuri, përmes mbrojtësit të tij, kishte paraqitur kërkesë për negocimin e marrëveshjes së fajësisë, e cila u aprovua nga kryeprokurori Zejnullah Gashi. Prokuroria propozoi një dënim me burgim prej 6 muajsh, i cili me pëlqimin e të pandehurit do të zëvendësohet me gjobë në vlerë prej 500 deri në 550 euro.
Mbrojtësi i Molliqajt, avokati Dren Kukaj, e konfirmoi mbështetjen për marrëveshjen, duke thënë se ajo është në përputhje me interesin e palës së mbrojtur. Gjyqtarja Valbonë Fejza konstatoi se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për miratimin e marrëveshjes, e cila u aprovua nga trupi gjykues.
Shpallja e aktgjykimit u shty për një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2022, Molliqaj akuzohet se më 29 janar të po atij viti, gjatë protestës së organizuar nga PSD-ja në Prishtinë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, kishte sulmuar zyrtarin policor Valon Braha. Incidenti ndodhi në hyrje të objektit të Qeverisë, ku sipas akuzës, Molliqaj e kishte goditur Brahën me grusht në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Për këto veprime, Molliqaj ngarkohet me veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” sipas nenit 402, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ky zhvillim shënon një moment të rëndësishëm në procesin gjyqësor ndaj liderit të PSD-së, i cili më herët kishte mohuar akuzat, por ka pranuar fajësinë përmes marrëveshjes me Prokurorinë.