Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka komentuar zhvillimet politike para seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, ku pritet të votohet për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Haradinaj u shpreh skeptik për mundësinë e krijimit të një qeverie “Kurti 3”, duke thënë se nga informacionet që ka, mund të ketë madje edhe votim të fshehtë.
“Shpresoj që Kurti i ka numrat. Ne jemi gjithmonë pro funksionimit të institucioneve, por sot nuk shoh ndonjë zgjidhje të qëndrueshme,” deklaroi ai për Klan Kosova.
Deputeti i AAK-së theksoi se edhe nëse arrihet formimi i qeverisë, ajo do të jetë produkt i pazareve politike dhe jo i një programi të qartë qeverisës.
“Duket se nuk kemi qeveri programore që i duhet Kosovës. Edhe nëse formohet një qeveri, ajo do të jetë një ‘qeveri e pazareve’. Nuk di nëse është ofruar ndonjë program konkret se çfarë sjell ‘Kurti 3’, andaj jemi në këtë situatë të paqartë,” shtoi Haradinaj.
Këto deklarata pasqyrojnë klimën e pasigurisë dhe mungesës së konsensusit politik që e karakterizon seancën e sotme, ndërsa opozita vazhdon të vlerësojë se shumica e pretenduar e Vetëvendosjes është e brishtë dhe jo stabile për qeverisje afatgjatë.

