Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu tha se qytetarët “janë të zënë peng nga një parti që po refuzon dhe po uzurpon Qeverinë e nuk po i kryen detyrat e saj kushtetuese”.
Në një konferencë për media në Kuvend, Deliu bëri thirrje për vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa tha se kryesuesi Avni Dehari “po vazhdon të jetë i nënshtruar dhe nuk po e kryen rolin e tij në funksionim të rregullores dhe të Kushtetuës së Republikës”.
“Jemi në një situatë të rëndë”, tha ajo. Kjo situatë, Deliu tha se “duket se i konvenon vetëm Albin Kurtit”.
Deliu tha se thirrjet e SHBA-së janë si pasojë e një “shqetësimi të madh” sepse “Kosova, duke qenë defunksionale po mbetet e izoluar dhe larg partneritetit”.
“Prandaj, unë pres masovizim të protestës sonë. Ditëve në vazhdim ju do të jeni dëshmitarë që kategori të shumta shoqërore do të jenë bashkë me ne për të demonstruar edhe një herë nevojën e funksionalitetit të institucioneve”, tha ajo.
Deliu tha se s’i përjashtojnë as “aksionet tjera në nivel vendi me qytetarët e Republikës”.

