Deputetët e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në përpjekjen e 21-të për konstituimin e institucionit ligjvënës, në një proces që po zvarritet prej disa javësh. Seanca plenare është caktuar të nisë në orën 11:00.
Pavarësisht tentativave të njëpasnjëshme, Kuvendi ende nuk ka arritur të zgjedhë Kryetarin e tij, pasi në seancën e fundit të mbajtur të premten, dështoi votimi për themelimin e komisionit që do të organizojë votimin e fshehtë për këtë post.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë për postin e Kryetarit të Kuvendit me kandidaten e saj, Albulena Haxhiu, ndërsa partitë e tjera opozitare nuk kanë dhënë mbështetjen e nevojshme për të mundësuar kalimin e procedurave.
Ngërçi institucional po zgjat më shumë se zakonisht, duke shtuar shqetësimet për funksionimin demokratik dhe institucional të vendit. Vëmendja sot do të jetë e përqendruar në zhvillimet brenda seancës, me shpresën se përfundimisht Kuvendi do të arrijë të konstituohet dhe të vijojë me punën legjislative.