Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Hoti, ka konfirmuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ishte sot në mëngjes në pishinën e Bajës së Malishevës.
Hoti, i cili ishte bashkë me Kurtin, ka thënë se ata kishin shkuar në pishinë shumë herët, rreth orës 07:00 të mëngjesit.
Ai ka deklaruar se pishina që vizituan nuk është ndonjë vend luksoz dhe se, sipas tij, deri më tani nuk ka pasur investime në atë hapësirë, ndërsa ka paralajmëruar se mund të investohet në të ardhmen.
“Nuk është ndonjë vend luksoz dhe nuk ka qenë në orarin e tij të punës”, ka thënë Hoti
I pyetur se pse Kurti ka zgjedhur të kalojë kohë në pishinë në një kohë kur Kosova po përballet me një ngërç institucional rreth zgjedhjes së presidentit, Hoti është përgjigjur se kjo mund të ketë qenë një shkëputje e nevojshme.
“Mbase kjo shkëputje do të jetë një hapësirë e mirë për të…”, ka thënë ai.
Duke folur për situatën në Kuvend, Hoti tha se Vetëvendosje ka reflektuar për çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
“Ne kemi reflektuar si Vetëvendosje, nuk e kemi zgjedhur kryetarin e Kuvendit para se të bëjmë marrëveshje”, deklaroi Hoti.
Ai gjithashtu tha se gjatë kohës kur Kurti ndodhej në pishinë, nuk kanë qenë në dijeni se deputetët e PDK-së do të zhvillonin aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës.
“Nuk e di, nuk i ndjek agjendat e tyre, por edhe po ta dinim nuk do ta respektonim prapë agjendën e tyre. Plani ynë ka qenë pishina”, tha Hoti.
Hoti ka ftuar gjithashtu opozitën për takim, duke thënë se mund të zhvillohet kudo që palët e shohin të përshtatshme, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje për presidentin.
“Deputetët e PDK-së nuk janë që dalin në terren, se po të donin, ne kemi qenë te pishina”, ka deklaruar ai.

