Michael Durkee, dëshmitar i mbrojtjes dhe ish-këshilltar politik i komandantëve supremë të forcave aleate të NATO-s në Evropë, ka vazhduar sot dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjatë seancës, Durkee u pyet për takimin ku ai kishte shoqëruar gjeneralin Wesley Clark me Hashim Thaçin. Mbrojtja paraqiti një dokument që rendiste pjesëmarrësit e delegacionit të palës kosovare, ku përfshiheshin emra të njohur si Hashim Thaçi, Ramë Buja, Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, Azem Syla, Blerim Shala, Edita Tahiri, Mehmet Hajrizit, Fehmi Agani dhe Gjergj Dedaj.
Durkee sqaroi se personalisht kishte takuar vetëm Thaçin dhe Krasniqin, ndërsa të tjerët i njihte vetëm nga emri. Ai theksoi se qëllimi i takimit ishte që gjenerali Clark të kuptonte më mirë synimet politike dhe kapacitetet ushtarake të UÇK-së.
“Çdo komandant ushtarak duhet të dijë mjedisin në të cilin do të veprojë. Kuptimi i synimeve politike është pjesë e përgatitjes për çdo mision”, tha Durkee.
Dëshmia e tij pritet të vijojë edhe në seancat e ardhshme.

