Për shkak të mungesës së të akuzuarit Përparim Prëvetica, ka dështuar të mbahet të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë seanca ndaj tij, Arbër Krasniqit, Ilirjan Hysenajt dhe Sahit Matajt, të akuzuar nga Prokuroria Speciale për falsifikim të votave në zgjedhjet e vitit 2021.
Lidhur me mungesën e Përveticës, gjykatësi i rastit Vesel Ismaili tha se avokati i tij, Halit Shaljani përmes parashtresës së datës 2 qershor 2025 ka njoftuar Gjykatën se i akuzuari nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Periskopi.
Sipas gjykatësit, Gjykata u njoftua se i akuzuari do të udhëtojë jashtë shtetit për arsye shëndetësore të një familjari. E nëse i akuzuari Përvetica mungon sërish, kërkoi nga avokati Shaljani që ta njoftojë klientin e tij me pasojat në rast të mungesës në seancën e radhës.
Lidhur me dështimin e kësaj seance, prokurori Ilir Morina shprehu shqetësimet lidhur me menaxhimin e këtij procesi gjyqësor.
“Ne si Prokurori jemi të shqetësuar me mënyrën se si po menaxhohet ky rast dhe shtyrja e seancave pa asnjë arsye ligjore”, tha prokurori Morina.
Ai tha se nuk e di si do të marrë epilog ky rast me këtë mënyrë të procedimit të tij.
“Une nuk e di se si kena me përfundu këtë lëndë”, shtoi prokurori Morina.
Po ashtu, prokurori kërkoi që gjykimi të zhvillohet në mungesë të të akuzuarit Përvetica, pasi prezent ishte avokati i tij Shaljani.
Kurse, avokati tha se ia lë në diskrecion Gjykatës të vendosë, duke shtuar se nuk ka marrë mendim nga Përvetica për këtë rrethanë.
Më pas, trupi gjykues refuzoi propozimin e prokurori Morina për zhvillim të gjykimit në mungesë të të akuzuarit Përvetica, me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore.
Në fund, seanca u ndërpre për të vazhduar gjatë muajit shtator. Ndryshe, në këtë seancë të pranishëm ishin dëshmitarët Vlera Leti dhe Dardan Stublla.
Në këtë rast kanë dështuar edhe seancat e 12 marsit 2025 dhe 22 prillit 2025.
Ndryshe, më 13 nëntor 2023 Gjykata e kishte veçuar procedurën penale ndaj të akuzuarve Granit Halilaj dhe Dardan Gashi pasi që të njëjtit kishin lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë.
Prandaj, ndaj Halilajt më 14 nëntor 2023 edhe është bërë shpallja e aktgjykimit, duke u dënuar me 1 vit burgim me kusht për veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit.
Gashi është dënuar me 12 muaj burgim me kusht, në mënyrë që për 12 muaj të mos kryejë ndonjë vepër tjetër penale, si dhe dënim plotësues 12 muaj ndalim i ushtrimit të profesionit në administratë publike.
Kurse ndaj Shalës, Krasniqit, Matajt, Përveticës dhe Hysenajt, vazhdoi procesi gjyqësor. Në seancën e 20 shkurtit 2025, Gjykata ka veçuar procedurën për ish-deputetin Haxhi Shala, pasi i njëjti po gjykohet në një proces tjetër gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, Arbër Krasniqit, Sahit Matajt, Përparim Përveticës, Ilirjan Hysenajt, Granit Halilajt dhe Dardan Gashit, të cilët akuzohen për falsifikim të rezultateve të votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, përmes falsifikimit iu shtuan vota ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla nga subjekti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidatit për deputet, Haxhi Shala./Periskopi