Nga 1 nëntori 2025 deri më 15 prill 2026, në Austri hyn përsëri në fuqi detyrimi ligjor për përdorimin e gomave dimërore, njofton Shoqata e Shoferëve të Makinave Austriake (ÖAMTC). Të gjithë shoferët që drejtojnë automjetet e tyre në kushte dimërore — borë, akull ose llucë — duhet të kenë katër goma dimërore në makinat e tyre.
Gomat e dimrit duhet të jenë të shënuara me simbolet “M+S” ose simbolin e borës 3PMSF dhe të kenë një thellësi minimale të profilit prej 4 mm. Gomat për të gjitha sezonet lejohen gjithashtu, nëse mbajnë simbolin e borës.
Ngasja me goma verore në kushte dimërore konsiderohet shkelje e rëndë e rregullave të trafikut, edhe në rastet kur bora bie papritur. Edhe pse detyrimi ligjor fillon më 1 nëntor, ekspertët rekomandojnë zëvendësimin e gomave që në mesin e tetorit, për shkak të motit të paparashikueshëm dhe fluksit të madh në stacionet e karburantit.
Kostoja e zëvendësimit dhe ruajtjes së gomave të verës në Austri varion nga 60 deri në 120 euro, varësisht nga shërbimi dhe madhësia e gomës.
Shoferët që nuk përmbahen rregulloreve rrezikojnë gjoba të larta. Në shkelje më të lehta, gjobat variojnë nga 35 deri në 150 euro, por nëse drejtimi pa goma dimërore ka rrezikuar sigurinë në rrugë, gjoba mund të arrijë deri në 10,000 euro.
Gjithashtu, në rast aksidenti rrugor, kompanitë e sigurimeve mund të refuzojnë kompensimin, nëse konstatohet se automjeti nuk ishte i pajisur me gomën e kërkuar ligjërisht.
Shoferët duhet të planifikojnë në kohë ndryshimin e gomave për të shmangur gjobat dhe për të garantuar sigurinë e tyre dhe të të tjerëve në rrugë.