Festimet e ndërrimit të mot-moteve në Kosovë janë shoqëruar me incidente të shumta, ku dhjetëra qytetarë kanë pësuar lëndime si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit.
Drejtori i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla, ka bërë të ditur për IndeksOnline se gjatë natës së Vitit të Ri janë trajtuar gjithsej 57 persona me lëndime të ndryshme.
“55 persona janë lënduar nga mjetet piroteknike, ndërsa dy të tjerë nga armët e zjarrit”, ka deklaruar Syla, duke theksuar se të gjithë të lënduarit kanë pranuar trajtim mjekësor në QKUK.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se gjatë festimeve janë raportuar disa incidente që lidhen drejtpërdrejt me përdorimin e pakujdesshëm të mjeteve piroteknike. Sipas njoftimit zyrtar, përveç lëndimeve trupore, janë evidentuar edhe raste të lëndimeve të lehta nga armë zjarri, si dhe dëme materiale, përfshirë zjarrvënie aksidentale.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha rastet janë duke u trajtuar dhe se, në koordinim me prokuroritë kompetente, do të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore.
Autoritetet kanë ritheksuar thirrjen për kujdes dhe përgjegjësi, duke apeluar që qytetarët të shmangin përdorimin e mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit, për të garantuar sigurinë publike dhe për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.

