Gjykata Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se ka dënuar me 1 vit e tre muaj, dhe gjobë 500 euro një person, për tri vepra penale, “Dhuna në familje” “Mospërfillja e gjykatës” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
Komunikata:
Gjakovë, 18 gusht 2026 – Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti i Përgjithshëm, ka shpallur aktgjykim dënues kundër të pandehurit M.D., për tri vepra penale, “Dhuna në familje” “Mospërfillja e gjykatës” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
Pas shqyrtimit gjyqësor, gjyqtarja Blerina Kurtaj, të akuzuarin M.D., e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burg për tri veprat penale në kohëzgjatje prej nëntëmbëdhjetë (1) vit e tre (3) muaj dhe gjobë në shumë pesëqind (500) euro. Në dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 17 shkurt 2026.
I pandehuri M.D., akuzohet se “ në shtëpinë e tyre të përbashkët në fshatin Novosellë e Epërme në Gjakovë, i pandehuri, në kundërshtim me urdhrin për mbrojtje dhe me qëllim të cenimit të dinjitetit të nënës së tij, R.D., viktimë e ndjeshme për shkak të moshës, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me gjërat ushqimore, e ka ofenduar dhe shqetësuar emocionalisht, duke i gjuajtur dhe shkelur me këmbë gjërat ushqimore dhe duke tentuar ta kapë për ta goditur, për çka e dëmtuara, nga frika, është mbyllur në dhomë dhe ka lajmëruar policinë. Pavarësisht urdhrit për mbrojtje, i pandehuri ka përsëritur veprimet e dhunshme ndaj të dëmtuarës, duke i shkaktuar shqetësim të madh emocional. Më 17.02.2026, rreth orës 12:00, në të njëjtën shtëpi, pas një konflikti tjetër, i pandehuri e ka sulmuar përsëri të dëmtuarën, duke e goditur me shuplaka, duke e shtyrë dhe rrëzuar mbi tavolinë, me ç’rast ajo ka lënduar dorën e majtë, ndërsa kur ajo ka kërkuar ndihmë për t’u ngritur për shkak të moshës dhe problemeve me gjunjë, i pandehuri e ka goditur me shkelm në trup dhe, pasi ka marrë hekurin që përdoret për ndezjen e prushit, e ka kanosur sërish me fjalët “të ka ardhur momenti i fundit”, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.”
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

