Policia e Kosovës ka ndërhyrë në orët e para të mëngjesit për të mbrojtur një grua viktimë e dhunës në familje, por është përballur me rezistencë të dhunshme nga familjarët e të dyshuarit.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 02:12, në fshatin Poslishtë të komunës së Prizren**, një grua ka kërkuar ndihmën e policisë pasi ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Pas mbërritjes në vendngjarje, patrullat policore janë përballur me një situatë të rëndë, ku bashkëshorti i viktimës, vëllai dhe babai i tij kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe kanë tentuar të sulmojnë sërish viktimën.
Gjatë ndërhyrjes, policia është sulmuar fizikisht dhe me gurë, ndërsa viktima është kërcënuar dhe rrezikuar seriozisht. Për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të mbrojtur jetën e saj, zyrtarët policorë kanë ndërhyrë me forcë dhe kanë arritur ta vënë situatën nën kontroll.
Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në stacion policor. Si pasojë e përleshjes, disa policë kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa njëri nga të dyshuarit ka marrë ndihmë mjekësore për lëndime të pësuara gjatë arrestimit.
Rasti është duke u trajtuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren. Të dyshuarit kanë shfrytëzuar të drejtën e heshtjes, ndërsa prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Përgjithshme ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh për të tre të arrestuarit.
Policia e Kosovës thekson se ky rast pasqyron qartë sfidat serioze me të cilat përballen zyrtarët policorë gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje, por njëkohësisht riafirmon përkushtimin e saj të palëkundur për mbrojtjen e viktimave, pa dallim.

