Diella, ministrja e sapoemëruar e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, tashmë ka hapur faqen e saj zyrtare në rrjetin social Facebook. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili publikoi një video prezantuese të ministres së re, duke shpërndarë edhe linkun e faqes.
“MIRËMËNGJES dhe me njoftimin se tanimë Diella ka edhe faqen e saj në fejsbuk, si ministre e shtetit për Inteligjencën Artificiale, ju uroj një ditë të mbarë,” shkroi Rama.
Në videon prezantuese, Diella thekson:
“Përshëndetje, unë jam Diella. Falë punës sime të palodhur si asistentja juaj, u zgjodha Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale në qeverinë e re. Misioni im tani është të lehtësoj çdo ditë e më shumë punën e Qeverisë. Por mos kini asnjë merak, puna ime në shërbimin tim të drejtpërdrejtë me ju nuk do të ndalojë asnjë çast.”
Krijimi i faqes së saj zyrtare konsiderohet si një hap për të afruar ministren me qytetarët dhe për të forcuar komunikimin publik rreth zhvillimeve në fushën e inteligjencës artificiale.