Një deklaratë e pazakontë e kryeministrit shqiptar Edi Rama, në Dialogun Global në Berlin, ka bërë bujë në mediat evropiane dhe ka ngjallur reagime në Bruksel.
Rama tha se ministrja e Inteligjencës Artificiale e Shqipërisë, Diella, është “shtatzënë” me 83 asistentë digjitalë, duke iu referuar zhvillimeve të reja në fushën e inteligjencës artificiale dhe digjitalizimit të administratës publike shqiptare.
Kjo metaforë ironike, që Rama e përdori për të përshkruar procesin e zhvillimit të asistentëve virtualë qeveritarë, u përhap me shpejtësi në mediat ndërkombëtare, duke nxitur edhe reagimin e zyrtarëve të Komisionit Evropian.
Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, gazetari i Euronews, Sandor Zsiros, e pyeti zëvendësshefin e Zëdhënësve të Komisionit, Olof Gill, për qëndrimin e Komisionit lidhur me faktin që një vend kandidat për BE ka në kabinet një ministre virtuale “shtatzënë”.
Zëdhënësi nuk dha një përgjigje zyrtare për çështjen, por iu përgjigj me një notë humori:
“Nuk kam koment zyrtar për këtë rast, por mund t’i uroj Diellës… një shtatzëni të mbarë,” – u shpreh Gill, duke shkaktuar të qeshura mes gazetarëve të pranishëm.
Deklarata e Ramës, e ndërthurur me humor dhe simbolikë teknologjike, ka ndezur diskutime mbi rolin e inteligjencës artificiale në qeverisje, ndërsa për BE-në duket se është pritur më shumë si kuriozitet politik dhe kulturor, sesa si çështje zyrtare për koment.

