Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka bërë të ditur se është arritur konsensus i plotë ndërmjet subjekteve parlamentare për votimin në pako të pesë nënkryetarëve të Kuvendit.
Deklarata erdhi pas përfundimit të mbledhjes me 14 përfaqësuesit e partive parlamentare.
“Ka pasur një konsensus të plotë të të gjitha partive politike, që të shkohet votimi në pako i pesë nënkryetarëve”, tha Basha.
Seanca shtyhet për në ora 17:00
Seanca konstituive e thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani për datën 11.02.2026 në ora 12:00, është shtyrë për në ora 17:00, me kërkesë të Partia Demokratike e Kosovës.
Propozimi u bë nga Vlora Çitaku, për shkak të fjalës përfundimtare të mbrojtjes në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Subjektet politike u pajtuan me këtë ndryshim.
Çfarë ndodh pas konstituimit?
Sipas Bashës, pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, do të vazhdohet me:
-
Votimin e Qeverisë së re
-
Miratimin e buxhetit
-
Ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare
E drejta për të propozuar kryetarin e Kuvendit i takon subjektit fitues të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje. Ende nuk është bërë e ditur nëse do të propozohet sërish Albulena Haxhiu apo një emër tjetër.
Përbërja e re e Kuvendit
Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025:
-
LVV – 57 deputetë
-
Partia Demokratike e Kosovës – 22 deputetë
-
Lidhja Demokratike e Kosovës – 15 deputetë
-
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 6 deputetë
Nga 120 ulëset e Kuvendit:
-
20 janë të garantuara për komunitetet joshumicë
-
10 prej tyre për komunitetin serb (9 Lista Serbe, 1 Nenad Rashiq)
Nëse procesi konstituiv përfundon pa bllokada, atëherë hapet rruga për formimin e Qeverisë së re dhe më pas për zgjedhjen ose rizgjedhjen e Presidentit para 5 marsit.

