Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, sot po vazhdon dita e dytë e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se gjatë seancës së sotme, prokurorëve do t’u nevojiten më pak se dy orë për të paraqitur pretendimet lidhur me përgjegjësitë penale të të akuzuarve, ndërsa në përmbyllje pritet fjala e prokurores së specializuar, Kimberly West.
Gjatë ditës së djeshme, West bëri të ditur se Prokuroria kërkon që katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, gjithsej 180 vjet burgim.
Në deklaratën përfundimtare të Prokurorisë, prokurori Nathan Quick tha se Adem Demaçi kishte rol të kufizuar në krijimin e institucioneve, por sipas tij ishte vartës i Hashim Thaçit. Ai shtoi se Kadri Veseli, përveç rolit politik, ushtronte edhe funksionin e shefit të shërbimit informativ.
Prokuroria e paraqiti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si një organizatë me strukturë dhe hierarki të qartë, duke theksuar rolin udhëheqës të të akuzuarve.
Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara thuhet se janë kryer nga mars 1998 deri në shtator 1999, në disa zona të Kosovës, si dhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore.
Gjykimi nisi më 3 prill 2023, ndërsa më 15 prill 2025 Prokuroria mbylli çështjen e saj. Në këtë proces janë të regjistruara 155 viktima pjesëmarrëse.

