Edhe sot, para trupit gjykues në Hagë, vazhdojnë deklaratat përmbyllëse në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, në atë që konsiderohet procesi më i madh gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në ditën e tretë të fazës përfundimtare, pritet që avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, të nisë shpalosjen e deklaratës përmbyllëse të mbrojtjes. Kjo shënon fillimin e argumenteve finale nga ana e ekipit mbrojtës, pas kërkesave të rënda të Prokurorisë.
Të hënën, prokurorja e specializuar Kimberly West kërkoi dënim prej nga 45 vjet burg për secilin nga të akuzuarit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gjatë kësaj jave dhe javës së ardhshme, Prokuroria, mbrojtësi i viktimave, ekipet mbrojtëse dhe vetë të akuzuarit do të kenë mundësinë e fundit për t’iu drejtuar trupit gjykues me argumentet e tyre përfundimtare para se çështja të kalojë në fazën e vendimmarrjes.
Kujtojmë se më 15 prill 2025 Zyra e Prokurorit të Specializuar e mbylli paraqitjen e provave të saj, ndërsa më 16 korrik 2025 trupi gjykues hodhi poshtë mocionin e përbashkët të mbrojtjes për rrëzimin e akuzave sipas rregullës 130 të Rregullores.
Procesi gjyqësor, i cili ka nisur në prill të vitit 2023, po hyn tashmë në fazën përfundimtare, ndërsa vendimi pritet pas përmbylljes së plotë të deklaratave finale.

