Dogana e Kosovës ka parandaluar një tentativë për të futur në vend një ngarkesë të madhe aksesorësh për celularë, që dyshohet se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale të markës tregtare Apple.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të një ngarkese importi nga zyra doganore në Prishtinë, u zbuluan dhe u sekuestruan 16,350 copë aksesorë për telefona që dyshohen si produkte pirate. Ky veprim u arrit falë analizës së riskut dhe vigjilencës së zyrtarëve doganorë, të cilët ndaluan futjen e mallrave të dyshimta në treg dhe mbrojtën konsumatorët nga dëmtimet e mundshme.
Trajnim amerikan për luftimin e produkteve fals
Në fillim të shtatorit, me mbështetjen e ekspertëve doganorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, oficerët e Doganës së Kosovës kanë marrë një trajnim të specializuar për parandalimin dhe luftimin e produkteve pirate. Ky trajnim ka shtuar njohuritë profesionale dhe ka rritur motivimin e tyre për të ndalur dukuritë e paligjshme në tregti.
Angazhim për mbrojtjen e konsumatorëve
Dogana e Kosovës thekson se mbetet e vendosur të luftojë aktivitetet e paligjshme tregtare, duke mbrojtur shoqërinë, konsumatorët dhe duke garantuar një treg të drejtë për bizneset e ndershme.