Dogana e Kosovës ka njoftuar sot se ka parandaluar dy raste të kontrabandës në pikën kufitare Jarinjë, duke sekuestruar argjend dhe produkte qumështi që tentoheshin të futeshin ilegalisht në vend.
Në rastin e parë, gjatë një kontrolli të detajuar mbi një automjet të udhëtarëve, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë, doganierët zbuluan dhe konfiskuan rreth 300 gram argjend të padeklaruar, i cili ishte fshehur me qëllim të shmangies së detyrimeve doganore dhe futjes në mënyrë të paligjshme në tregun e Kosovës.
Në rastin e dytë, gjatë kontrollit të një automjeti tjetër, u zbuluan sasi të konsiderueshme produktesh të qumështit, të cilat po tentohej të kontrabandoheshin pa dokumentacionin përkatës dhe në kundërshtim me rregullat për importin e produkteve me prejardhje shtazore.
Dogana ka sekuestruar mallrat dhe ka nisur procedurat ligjore në bashkëpunim me institucionet kompetente.
Në reagimin e saj, Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe mbrojtjen e ekonomisë vendore, si dhe shëndetit të qytetarëve, duke penguar hyrjen e mallrave të paligjshme dhe potencialisht të rrezikshme në treg.