Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë një kontrolli rutinë në Pikëkalimin Kufitar të Jarinjës ka sekuestruar 20,000 euro të padeklaruara.
Paratë janë gjetur në posedim të një shtetasi të Serbisë që po hynte në territorin e Republikës së Kosovës. Sipas autoriteteve, shuma përbëhej kryesisht nga monedha serbe (dinarë) dhe pjesërisht nga euro, të cilat nuk ishin deklaruar në përputhje me rregullat doganore.
Ligji i Kosovës kërkon që çdo shumë mbi 10,000 euro që hyn ose del nga territori i vendit të deklarohet pranë autoriteteve doganore. Mosdeklarimi i këtyre mjeteve përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet procedurave administrative, ndëshkuese dhe hetimeve të mëtejshme.
Dogana e Kosovës theksoi se ky rast është dëshmi e përkushtimit të saj për të parandaluar kontrabandën financiare, pastrimin e parave dhe çdo aktivitet të paligjshëm që rrezikon sigurinë ekonomike e financiare të vendit.
Sipas institucionit, masat e tilla janë të domosdoshme për të ruajtur stabilitetin fiskal dhe për të mbrojtur tregun e brendshëm.