Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë zhvilluar një aksion në Ferizaj, pas informacioneve të pranuara nga qytetarët për prezencën e barnave pa banderola të Republikës së Kosovës.
Kontrollet janë kryer në dy barnatore dhe dy banesa private, ku është gjetur një sasi e konsiderueshme barnash të kontrabanduara nga vende të ndryshme. Sipas njoftimit të Doganës, medikamentet ishin të ruajtura në kushte të mjerueshme, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.
Për rastin është informuar Prokuroria Themelore në Ferizaj. Me urdhër të Prokurorit, zyrtarët e Hetuesisë së Doganës kanë intervistuar pronarin e barnatoreve.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës, si dhe në mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës.