Presidenti i Bullgaria, Rumen Radev, ka njoftuar dorëheqjen nga posti pas nëntë vitesh në krye të shtetit, duke deklaruar se demokracia bullgare rrezikon seriozisht nëse lihet në duart e “strukturave të korruptuara dhe ekstremistëve”.
Në një fjalim publik, Radev tha se vendimi i tij buron nga përgjegjësia ndaj besimit të qytetarëve dhe nevoja për të mbrojtur institucionet shtetërore.
“Nesër do të jap dorëheqjen nga posti i Presidentit të Republikës së Bullgarisë. Nëntë vjet më parë më besuat këtë detyrë. Së bashku kaluam kriza të rënda, sulme nga oligarkia dhe protesta të mëdha në vitet 2020 dhe 2025. Sot po ju drejtohem për herë të fundit si president. I pranoj gabimet e mia,” deklaroi Radev.
Ai theksoi se demokracia nuk mund të mbijetojë pa përgjegjësi politike dhe pa institucione të mbrojtura nga ndikimet radikale dhe korruptive, duke paralajmëruar se neglizhenca politike ka kosto afatgjata për shtetin.
Sipas mediave ndërkombëtare, Radev kujtoi se u zgjodh për herë të parë president në vitin 2017 dhe se mandati iu rinovua në vitin 2021, duke vlerësuar se në çdo hap ka tentuar ta justifikojë besimin dhe përgjegjësinë që i është dhënë.
Pas dorëheqjes së tij, detyrën e presidentit do ta marrë Iliana Jotova, e cila aktualisht ushtron funksionin e zëvendëspresidentes.
Në fund, mesazhi i Radevit ishte i prerë: demokracia nuk është e përjetshme dhe nuk mbrohet vetë. Ajo kërkon guxim politik – edhe kur kjo nënkupton largimin nga pushteti.

