Qyteti bregdetar mirëpret sot udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Iniciativës Brdo-Brioni, një ngjarje e rëndësishme diplomatike që fokusohet në perspektivën evropiane të rajonit dhe zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.
Burime të RTKlive bëjnë të ditur se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në këtë samit të nivelit të lartë.
Samiti mbahet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”, dhe organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Millanoviq, ndërsa mikpritës dhe drejtues i punimeve është Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Ngjarja dyditore zhvillohet këtë vit në Golem, ku pritet të diskutohen çështje që prekin drejtpërdrejt rajonin: bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, proceset integruese drejt BE-së, rinia dhe politikat për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore.
Gjatë punimeve do të zhvillohen takime dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës, përveç seancës plenare dhe konferencës për shtyp që Presidenti Begaj do të mbajë bashkë me homologët e Sllovenisë dhe Kroacisë.
Samiti pritet të përfundojë me konkluzione të përbashkëta, që synojnë forcimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e progresit në proceset evropiane të rajonit.
Në këtë proces janë të përfshira Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Serbia, pjesë e nismës Brdo-Brioni, e themeluar në vitin 2010 nga Sllovenia dhe Kroacia – dy vende tashmë anëtare të Bashkimit Evropian.