Dy persona, mes tyre një i mitur, janë arrestuar mbrëmjen e së enjtes në Shtime, pasi dyshohen se kanë kryer vjedhje në një qendër tregtare në rrugën “Tahir Sinani”. Rasti u raportua rreth orës 18:40 nga sigurimi i objektit, i cili i kishte ndalur të dyshuarit deri në mbërritjen e policisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, të arrestuarit janë Sh. Z. (rreth 20 vjeç) dhe F. Z. (rreth 15 vjeç). Të dy janë shoqëruar në stacionin policor, ku u janë sekuestruar produktet ushqimore dhe gjësendet tjera të vjedhura.
I mituri është marrë në pyetje në prani të prindit dhe avokatit, sipas procedurave ligjore.
Hetimet kanë zbuluar se dy personat kishin ardhur në Shtime me një veturë të tipit Renault, me targa vendore, e cila rezultoi të ishte vjedhur po atë ditë në Skenderaj. Policia e Skenderajt është njoftuar menjëherë për të vazhduar trajtimin e rastit të vjedhjes së automjetit.
Për vjedhjen e kryer në Shtime, policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe ka informuar prokurorin e shtetit.
Ngjarja pritet të trajtohet si dy raste të ndara: vjedhja në qendrën tregtare dhe vjedhja e veturës në Skenderaj.

