Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, së bashku me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, kanë marrë pjesë në ceremoninë përuruese të çerdhes së re në fshatin Koretin të Kamenicës.
Objekti modern, i ndërtuar me investim prej 741 mijë eurosh nga MAShTI, ka kapacitet për të akomoduar deri në 120 fëmijë. Çerdhja përfaqëson një projekt të kahmotshëm të komunitetit lokal, që tani po bëhet realitet pas disa dekadash mungese të infrastrukturës parashkollore në këtë zonë.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se hapja e çerdhes është tejet e vlefshme për fëmijët e vegjël, që do të nisin hapat e parë të edukimit në kushte dinjitoze. Ai falënderoi kryetarin Rahimaj për përkushtimin ndaj politikave që mbështesin arsimimin, nënat dhe fëmijët.
“Kjo çerdhe u mundëson fëmijëve arsimim e edukim cilësor, ndërsa nënave u jep mundësinë të rikthehen në tregun e punës ose të vazhdojnë shkollimin e tyre”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se qeveria do të vazhdojë të mbështesë planet e komunës për mësimin gjithëditor, si model modern edukimi në nivel lokal.
Ministrja Nagavci theksoi rëndësinë e edukimit të hershëm dhe investimeve në infrastrukturë bashkëkohore.
“Kjo çerdhe nuk është vetëm një objekt, por një mundësi për fëmijët e Koretinit që të fillojnë edukimin që nga mosha e hershme – periudhë vendimtare për zhvillimin e tyre”, deklaroi ajo, duke shtuar se rreth 70 fëmijë janë tashmë të regjistruar në institucionin e ri.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, kujtoi se që nga viti 1982 nuk ishte ndërtuar asnjë çerdhe publike në këtë komunë.
“Me përkushtimin tonë dhe bashkëpunimin me ministritë, sot Kamenica gëzon dy çerdhe të reja publike. Kjo është dëshmi e bashkëpunimit efektiv ndërinstitucional”, tha ai.
Pas ceremonisë së çerdhes, Kurti, Rahimaj dhe humanisti Halil Kastrati, nga Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, përuan edhe Kuzhinën Popullore të Kamenicës – një projekt që do të ofrojë ushqim të shëndetshëm për nxënësit dhe familjet në nevojë.
Kryeministri Kurti tha se ky projekt është shembull i politikave humane dhe sociale që duhet të ndiqen në çdo komunë:
“Kuzhina Popullore do të përgatisë ushqime të shëndetshme dhe të përshtatshme për secilën moshë. Kamenica ka vendosur standard të ri në arsimin parashkollor dhe kujdesin social”, u shpreh ai.
Humanisti Halil Kastrati tha se bashkëpunimi me Komunën e Kamenicës ka qenë frytdhënës dhe se kuzhina e re duhet të shërbejë si model për gjithë komunat e Kosovës.
“Ky është një projekt që tregon se kur bashkohen forcat për një kauzë humane, përfitues janë fëmijët dhe familjet që kanë më së shumti nevojë,” deklaroi Kastrati.
Ndërsa kryetari Rahimaj shtoi se kuzhina do të jetë në shërbim të çdo nxënësi, stafi arsimor dhe rasteve sociale, duke falënderuar Shoqatën “Jetimat e Ballkanit” për përkrahjen dhe realizimin e përbashkët të projektit.