E diela do të sjellë një tjetër ditë të nxehtë dhe me zagushi në Kosovë, me temperatura që do të arrijnë deri në 37 gradë Celsius, ndërsa në disa zona të rajonit pritet të kapin kulmin prej 40 gradësh.
Sipas parashikimeve meteorologjike, paraditja në Kosovë do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të pakta lokale, por pasditja mund të sjellë zhvillime atmosferike në disa zona juglindore dhe kodrinore-malore, ku priten rrebeshe të izoluara shiu, të shoqëruara me vetëtima dhe bubullimë.
Temperaturat maksimale në Kosovë do të sillen nga 34 deri në 37°C, duke rritur ndjeshëm ndjesinë e zagushisë, sidomos në zonat urbane dhe ato të ulëta. Autoritetet këshillojnë kujdes të shtuar në orët e mesditës dhe pasdites, për të shmangur ekspozimin e panevojshëm ndaj diellit dhe për të parandaluar problemet nga dehidratimi apo goditjet nga i nxehti.
Ndërkohë, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi do të përballen gjithashtu me një valë të fortë të të nxehtit, ku në zonat më të nxehta të rajonit temperaturat mund të arrijnë deri në 40°C. Prania e lagështisë së lartë pritet të rrisë ndjesinë e nxehtësisë, duke e bërë motin veçanërisht të rënduar për grupet e ndjeshme si të moshuarit dhe fëmijët.
Meteorologët apelojnë për konsum të shtuar të lëngjeve, përdorim të rrobave të lehta dhe të hapura, si dhe shmangie të aktiviteteve fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Për ditët në vijim, parashikimet tregojnë për vazhdim të motit të nxehtë, me rritje të mundshme të reshjeve lokale në zonat malore të rajonit.