Të enjten, në Kosovë parashikohet mot relativisht i ngrohtë, me alternime të vranësirave dhe intervaleve të gjata kohore me diell. Sipas parashikimeve, në disa zona mund të ketë ndonjë rigë ose rrebesh të izoluar shiu, të shoqëruar me vetëtima dhe bubullimë.
Era do të fryjë shpeshherë e fuqishme, kryesisht nga drejtimi jugperëndimor. Temperaturat maksimale ditore pritet të arrijnë deri në 22 gradë Celsius, duke ruajtur ndjesinë e një dite pranverore.
Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi, gjithashtu pritet mot i ngjashëm – me diell dhe vranësira lokale, si dhe erëra të intensitetit mesatar deri të fuqishëm. Reshje të pakta e të përkohshme janë të mundshme në disa zona të Malit të Zi dhe Shqipërisë, por pa ndonjë zhvillim atmosferik të theksuar.
Stuhitë i anashkalojnë vendet tona – godasin Ballkanin Lindor
Sipas të dhënave meteorologjike, zhvillime më të fuqishme atmosferike priten në territorin e Bullgarisë, Rumanisë dhe në disa pjesë të Bosnjë dhe Hercegovinës. Në këto vende, stuhitë e shoqëruara me rrebeshe intensive shiu dhe breshëri mund të jenë të ashpra dhe të shoqërohen me procese atmosferike mjaft të theksuara.
Ndikimi i këtyre stuhive do të ndjehet pjesërisht edhe në rajonin tonë përmes erërave të fuqishme, por pa rrezik për zhvillime të forta në Kosovë apo vendet përreth.
Meteorologët këshillojnë qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj erërave të fuqishme, veçanërisht në hapësirat e hapura dhe gjatë udhëtimeve.