Sipas parashikimeve meteorologjike, e marta në Kosovë do të karakterizohet nga mot mjaft i ngrohtë, me erëra që fryjnë nga drejtimi jugperëndimor. Priten intervale të gjata kohore me diell, por edhe vranësira që herë pas here mund të sjellin ndryshime të papritura në kushte atmosferike.
Në disa zona të izoluara ka mundësi për zhvillimin e ndonjë stuhie të shoqëruar me vetëtima, bubullimë dhe breshër. Megjithatë, parashikimet sugjerojnë se stuhitë më të fuqishme do të anashkalojnë territorin e Kosovës, edhe pse një “surprizë” nuk përjashtohet plotësisht.
Edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi parashikohet mot me vranësira dhe intervale të shkurtra me diell. Gjatë ditës, në veçanti pasdites, mund të ketë zhvillim të stuhive të izoluara, të shoqëruara me rrebeshe shiu, vetëtima, bubullimë dhe lokalisht breshër.
Në Shqipëri, këto zhvillime mund të nisin që nga mbrëmja e së hënës, ndërsa në pjesët tjera të rajonit kryesisht pasditen e së martës. Të gjitha këto dukuri do të jenë të natyrës lokale dhe të përkohshme, por ekziston mundësia e ndonjë stuhie më të fuqishme në zona të caktuara.