E shtuna në Kosovë do të karakterizohet nga reshje të vazhdueshme atmosferike, të cilat vende-vende do të jenë intensive. Në varësi të rajonit dhe temperaturave, priten reshje shiu, shqote, shi i ngrirë dhe borë. Temperaturat gjatë ditës do të luhaten nga -1 deri në 3 gradë Celsius.
Pasdite dhe sidomos në mbrëmje, do të fillojnë të fryjnë erëra të ftohta veriore, duke sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave dhe fillimin e depërtimit të masave të ftohta polare. Si pasojë, reshjet do të shndërrohen gradualisht në borë në të gjithë vendin, ndërsa intensiteti i tyre pritet të ulet lokalisht.
Në viset malore, reshjet e borës do të jenë të pranishme pothuajse gjatë gjithë ditës. Pas mesnate, pritet rënie e fortë e temperaturave në të gjitha rajonet e Kosovës.

