Një nder i jashtëzakonshëm për Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Gjeneral Ejup Maqedonci, i cili u përfshi në Sallën e Famës (Hall of Fame) të Kolegjit të Luftës të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (U.S. Army War College), në një ceremoni ku ishte i pranishëm edhe Gjenerali Randy A. George, Shef i Shtabit të Ushtrisë së SHBA-së.
Në një postim në rrjetin e tij social, Gjeneral Maqedonci e konsideroi këtë vlerësim më shumë se një arritje personale, duke e lidhur me përkushtimin, profesionalizmin dhe përpjekjet e përbashkëta të të gjithë kolegëve dhe bashkëpunëtorëve me të cilët ka shërbyer gjatë karrierës.
“Është nder jetësor për mua vlerësimi duke më vendosur në Sallën e Famës të Kolegjit të Luftës të Ushtrisë së SHBA-ve. Ky nderim nuk është vetëm një arritje personale, por pasqyron përpjekjen e përbashkët të të gjithë atyre me të cilët kam pasur fatin të shërbej gjatë karrierës sime,” shkroi Maqedonci.
Ai shprehu mirënjohje të thellë ndaj Kolegjit të Luftës për mundësinë që i ofruan disa vite më parë për të përfunduar studimet, duke ndikuar në formimin e tij profesional dhe personal. Po ashtu, Gjeneral Maqedonci falenderoi kolegët, mentorët dhe familjen për mbështetjen e vazhdueshme.
Ky nderim, sipas tij, forcon bindjen në fuqinë e shërbimit, udhëheqjes dhe mësimit të përjetshëm, vlera që kapërcejnë kufijtë dhe bashkojnë të gjithë ata që shërbejnë vendin dhe komunitetin e tyre.
Ky moment historik vendos Gjeneral Maqedoncin dhe Kosovën në hartën e ekselencës ndërkombëtare ushtarake, duke forcuar gjithashtu bashkëpunimin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


