31 tetor 2025 – Bota
Një hetim tronditës i publikuar nga The Guardian, bazuar në të dhëna të medias së pavarur ruse Verstka, ka zbuluar fakte alarmante për dhunën e brendshme në radhët e ushtrisë ruse. Sipas raportit, mbi 100 ushtarakë rusë akuzohen për vrasje, tortura dhe dënime me vdekje ndaj kolegëve të tyre që kanë refuzuar të luftojnë në Ukrainë.
Hetimi, i mbështetur në dëshmi ushtarësh aktivë, familjarësh të viktimave dhe video të rrjedhura, tregon një pamje të errët të një ushtrie të përçarë nga frika dhe terrori i brendshëm. Verstka ka konfirmuar të paktën 150 raste vdekjesh, ndërsa thekson se numri i vërtetë mund të jetë shumë më i lartë.
Ekzekutime dhe misione vetëvrasëse
Sipas dëshmive, komandantët rusë kanë emëruar “ekzekutues” për të qëlluar ushtarët që refuzonin të luftonin, duke i hedhur më pas trupat në lumenj ose varre të cekëta, për t’i regjistruar si “të vrarë në betejë”. Në raste të tjera, ata kanë përdorur dronë dhe eksplozivë për të eliminuar ushtarët që tentonin të tërhiqeshin.
Në disa njësi, ushtarët janë detyruar të luftojnë me njëri-tjetrin në “dule deri në vdekje”, të ngjashme me arenat romake. Një video e publikuar në maj 2025 tregon dy burra gjysmë të zhveshur që detyrohen të përleshën, ndërsa një zë jashtë kamerës thotë: “Kushdo që vret tjetrin, del nga gropa.”
Korrupsion dhe zhvatje
Raporti tregon gjithashtu se disa komandantë kanë ngritur rrjete zhvatjeje, duke kërkuar para nga ushtarët për t’i përjashtuar nga misionet vetëvrasëse. Ata që nuk paguanin, sipas burimeve, “asgjësoheshin”.
Dhuna e përhapur dhe pandëshkueshmëria
Pjesa më e madhe e këtyre rasteve fillimisht u raportuan nga batalione penale, të përbëra nga ish-të burgosur të rekrutuar nga burgjet ruse. Por, sipas Verstka, tani kjo praktikë është përhapur edhe në njësitë e rregullta të ushtrisë.
Shumica e autorëve të dyshuar janë oficerë të rangut të mesëm, të moshës 30–40 vjeç, veteranë të luftërave të mëparshme. Pavarësisht provave të shumta, askush nuk është ndjekur penalisht.
29 mijë ankesa brenda 6 muajve
Verstka ka zbuluar se Zyra Qendrore e Prokurorit Ushtarak të Rusisë ka marrë rreth 29,000 ankesa nga ushtarakët dhe familjet e tyre vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025, ku 12,000 lidhen me dhunë apo ndëshkime nga eprorët.
Një burim në Prokurori ka deklaruar se ekziston një urdhër jozyrtar për të mos hetuar rastet që përfshijnë komandantët aktivë në luftë, duke u dhënë atyre imunitet të plotë.
Ky raport i Verstkës është konsideruar më i ploti deri më sot për brutalitetin e brendshëm në ushtrinë ruse dhe thekson përmasat e rënda të krizës morale dhe disiplinore që ka përfshirë forcat e Moskës në Ukrainë.

