Një model i ri dhe i përballueshëm i inteligjencës artificiale (IA) ka hyrë në garën globale të teknologjisë, këtë herë nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).
Universiteti i Inteligjencës Artificiale Mohamed bin Zayed (MBZUAI) në Abu Dhabi njoftoi të martën lançimin e K2 Think, një modeli arsyetimi me kosto të ulët që synon të rivalizojë konkurrentë si OpenAI dhe DeepSeek.
Modeli K2 Think ka më pak parametra krahasuar me modelet më të mëdha të IA-së, por studiuesit theksojnë se performanca e tij është e krahasueshme me modelet e arsyetimit të OpenAI dhe DeepSeek. Sipas MBZUAI, modeli përdor “rregullim të hollësishëm të mbikëqyrur me zinxhir të gjatë mendimi dhe mësim përforcues me shpërblime të verifikueshme, për të rritur saktësinë në problemet komplekse”.
Hector Liu, drejtor i institutit të modeleve themelore të MBZUAI, tha për CNBC:
“Modeli ynë trajtohet më shumë si një sistem sesa thjesht një model. Ne nuk e publikojmë thjesht modelin; ne monitorojmë dhe përmirësojmë performancën e tij me kalimin e kohës.”
MBZUAI thekson se K2 Think është “një nga sistemet më të shpejta dhe më efikase të arsyetimit në ekzistencë”, duke arritur 2,000 tokena për sekondë – rreth 1,500 fjalë. Modeli është ndërtuar mbi Qwen 2.5 të Alibaba dhe funksionon mbi harduer të prodhuar nga Cerebras, prodhues i çipave të IA-së.
Ashtu si modeli R1 i DeepSeek, K2 Think është me burim të hapur, që do të thotë se të dhënat dhe peshat e trajnimit janë të aksesueshme për publikun. Universiteti shpjegon se kjo siguron transparencë dhe mundësi për studim, riprodhim dhe zhvillim nga komuniteti global i kërkimit.
Gara globale e IA-së
Teknologjia mund të ketë ndikim të madh në konkurrencën globale të IA-së. Megjithëse SHBA-të dhe Kina mbizotërojnë, vendet e tjera po përpiqen të vendosin gjurmën e tyre. MBZUAI e sheh K2 Think si një moment kyç për Emiratet e Bashkuara Arabe:
“Kjo pasqyron se inovacioni i hapur dhe partneritetet publik-privat mund ta pozicionojnë Abu Dhabin si një lider global në inteligjencën artificiale, duke demonstruar se e ardhmja e arsyetimit do të formësohet nga zgjuarsia dhe bashkëpunimi, jo vetëm nga madhësia e modeleve.”