Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dërguar sot një kërkesë zyrtare për anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke kërkuar të jetë i pranishëm në mbledhjen e planifikuar për 23 shtator, ku do të diskutohet shkarkimi i tij.
Në kërkesën e tij, Veliaj thekson se mungesa e tij për mbi gjashtë muaj nuk është pasojë e vullnetit të tij, por rezultat i një masë sigurie disproporcionale, të cilën ai e kundërshton në çdo instancë gjyqësore, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. “Shkaktar i saj nuk është as Kryetari i Partisë Socialiste, as Partia Socialiste, as ju këshilltarë, por një vendimmarrje gjyqësore që ka ndërprerë në mënyrë të padrejtë një mandat kushtetues”, shprehet Veliaj.
Kryebashkiaku kërkon të dëgjohet para se të merret një vendim për shkarkimin e tij, duke paralajmëruar se çdo vendim i tillë, sipas tij, mund të krijojë precedent të rrezikshëm për pushtetin vendor.
Veliaj ndodhet në paraburgim që nga 10 shkurt 2025, me masë sigurie “arrest në burg”, pas arrestimit me urdhër të GJKKO-së. Ai akuzohet nga SPAK për 13 akuza, përfshirë 9 raste korrupsioni.
Pas kërkesës së Edi Ramës në Asamblenë e Partisë Socialiste, këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës kanë nisur procedurën për shkarkimin e Veliajt, duke u mbështetur në nenin 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, që lidhet me mosparaqitjen në detyrë për të paktën tre muaj. Sipas ligjit, Këshilli Bashkiak propozon shkarkimin, ndërsa firmën përfundimtare e jep Kryeministri.
Socialistët kanë përgatitur edhe kandidaten për zgjedhjet e parakohshme, e cila është Ogerta Manastirliu. Megjithatë, nëse Veliaj vendos të dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, i gjithë procesi do të pezullohet, duke ndaluar Presidentin të shpallë dekretin për zgjedhjet e pjesshme deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.