Vendet evropiane po shqyrtojnë kufizime të reja për përdorimin e mediave sociale nga fëmijët dhe adoleshentët, ndërsa prindërit përballen me sfidën e ruajtjes së një ekuilibri mes teknologjisë dhe shëndetit mendor të të vegjëlve.
Ligjvënësit në disa shtete po propozojnë etiketa paralajmëruese, kufizime moshe për platformat digjitale dhe ndalime të telefonave në shkolla. Kjo pas shqetësimeve se koha e tepërt para ekranit po lidhet me ankthin, depresionin, izolimin social dhe gjumin e çrregullt tek fëmijët dhe adoleshentët.
Një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thekson se përdorimi “problematik” i rrjeteve sociale po rritet mes të rinjve evropianë, duke u bërë një ndër faktorët kryesorë të vetmisë në shkallë globale.
Shembulli i Suedisë – Në përpjekje për të ofruar alternativa, Suedia ka prezantuar një “kartë aktiviteti të kohës së lirë” që mbulon pjesërisht shpenzimet për aktivitete si kurset e gjuhës apo sportet për fëmijët e moshës 8–16 vjeç. Synimi është që fëmijët të kenë më shumë kohë të lirë kuptimplote dhe të përmirësojnë shëndetin e tyre fizik e mendor.
Këshilla e ekspertëve – Pediatria gjermane Janna-Lina Kerth sugjeron që prindërit të praktikojnë “atë që predikojnë”: të reduktojnë edhe vetë kohën para ekranit dhe të vendosin objektiva familjare për përdorimin e pajisjeve digjitale. Ajo thekson rëndësinë e një dialogu të hapur me fëmijët, duke shpjeguar arsyet e kufizimeve dhe duke ofruar alternativa konkrete.
Ekspertët theksojnë se jo çdo kohë para ekranit është e dëmshme, pasi ka edhe lojëra apo aplikacione edukative që mund të kontribuojnë pozitivisht.
Megjithatë, rekomandimet e OBSH-së mbeten të qarta: fëmijët nën 5 vjeç nuk duhet të kalojnë më shumë se një orë në ditë para ekranit, ndërsa për moshat më të rritura, sa më pak kohë – aq më mirë.
Si të mbushet boshllëku? – Ekspertët sugjerojnë aktivitete sportive, kurse të ndryshme dhe hobi ku përdorimi i teknologjisë është i kufizuar. Në këtë mënyrë, fëmijët jo vetëm që shmangin izolimin, por edhe zhvillojnë shkathtësi sociale e fizike.