Samiti i Kopenhagenit përfundoi pa një marrëveshje mbi përdorimin e 210 miliardë eurove të aseteve të ngrira ruse për mbrojtjen dhe rindërtimin e Ukrainës, duke lënë të hapur ndasitë e thella brenda Bashkimit Europian.
Shtetet baltike dhe Polonia kërkojnë konfiskim të menjëhershëm të fondeve për të mbuluar boshllëqet financiare të Kievit, ndërsa Franca, Gjermania, Italia dhe Belgjika paralajmërojnë pasoja të rënda ligjore dhe ekonomike. Belgjika, ku ndodhet edhe Euroclear – kujdestari i aseteve të Moskës – e quajti konfiskimin “jashtë diskutimit” duke paralajmëruar rrezik të paqëndrueshmërisë sistemike financiare.
Në takim u diskutua edhe paketa e sanksioneve të 19-ta kundër Rusisë, që përfshijnë masa ndaj energjisë, financave dhe flotës në hije. Megjithatë, Hungaria sërish refuzoi të japë mbështetje, duke penguar unitetin europian.
Nga ana tjetër, Putin akuzoi Perëndimin për rimilitarizimin e Europës, duke e cilësuar këtë një kthim të rrezikshëm te “paralelet historike”. Komentet e tij erdhën pak para vizitës zyrtare në Kinë.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë shfaqur shqetësime. Sipas burimeve të Shtëpisë së Bardhë, Trump është i irrituar me disa udhëheqës europianë që, sipas tij, po e zgjasin luftën duke refuzuar kompromiset territoriale me Moskën, ndërkohë që kostot i bart Uashingtoni.
“Le t’i lëmë të luftojnë për një kohë dhe të shohim se çfarë ndodh,” ka cituar një zyrtar amerikan qasjen e Trump, duke lënë të hapur mundësinë që SHBA të tërhiqet përkohësisht nga përpjekjet diplomatike.
Ndërkohë, BE vazhdon përplasjet e brendshme mes atyre që kërkojnë veprime të menjëhershme dhe vendeve që ngurrojnë nga frika e pasojave ligjore e financiare. Ukraina, nga ana tjetër, paralajmëron për një boshllëk prej dhjetëra miliardësh që pritet vitin e ardhshëm.