Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për dështimin në ruajtjen e bastioneve tradicionale në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke theksuar se për dallim nga Aleanca, Nisma ka arritur të ruajë mbështetjen në zonat kyçe.
Gjatë një interviste në emisionin Pressing në televizionin T7, Limaj u shpreh se AAK-ja ka pësuar rënie në bastione si Gjakova dhe Deçani, ndërsa Nisma, sipas tij, mbeti e qëndrueshme në Malishevë, bastioni i saj historik.
“AAK-ja nuk arriti t’i ruajë as bastionet e veta. Ndërsa te ne votat kanë ardhë, ne e ruajtëm bastionin tonë, Malishevën. Ne si NISMA me votat tona jemi në Parlament,” deklaroi Limaj.
Ai gjithashtu shtoi se, pavarësisht rezultatit modest të disa kandidatëve, Nisma nuk ka asnjë arsye për të kërkuar fajtorë jashtë vetes.
“Krejt deputetët e Nismës mi mbledh bashkë, s’i kanë as 300 vota në Gjakovë a Gjilan, por unë nuk kam vërejtje për këtë. As unë e askush nga NISMA, askujt borxh nuk i kemi,” u shpreh Limaj, duke kritikuar tendencën për të gjetur fajtorë të gabuar:
“Nëse dikush shërbehet me gjetë fajtor në rregull. Por, duhet me i gjetë fajtorët aty ku vërtetë janë, me idhnim të shpisë mos iu gjuj kojshisë.”
Limaj: E prisnim më shumë nga koalicioni, votat munguan në bastione të Aleancës
Limaj theksoi se, si pjesë e koalicionit me AAK-në, kishin pritshmëri më të larta. Ai tha se në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, votat në bastionet tradicionale të Aleancës kanë rënë ndjeshëm.
“Në bastionet e tyre, krahasuar me 2021, nuk kanë ruajtur votat. Diçka ka ndodhur, p.sh. në Gjakovë, Deçan, ka më pak vota në 2025. Ne kemi pritur të shtohen votat. Janë angazhuar? Po. Por vota s’ka ardhur.”
Nga ana tjetër, ai tha se Nisma ka pasur rritje votash në disa zona, edhe pse nuk arriti objektivin e tyre për të fituar 15% të votave.
“Çdokush ka punuar për vete” – Limaj për koalicionin me AAK-në
Kreu i Nismës bëri të qartë se në këtë garë zgjedhore, çdo kandidat ka punuar për partinë e vet, dhe nuk ka pasur ndihmë të ndërsjellë në kuadër të koalicionit.
“Çdokund deputetët kanë punuar për vete. Aleanca e ka votu Aleancën, Nisma – Nismën. Unë nuk besoj që kandidatët e Nismës të presin të votohen nga Aleanca,” përfundoi Limaj.