Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit, duke theksuar nevojën për një proces të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Sipas Limajt, nëse deputetët nuk arrijnë të zgjedhin kryeparlamentarin brenda afatit 30-ditor, duhet t’u jepet mundësia grupeve të tjera parlamentare për të propozuar kandidatë. Ai shtoi se në rast se edhe pas 60 ditësh nuk ka rezultat, atëherë 120 deputetët aktualë duhet të de-certifikohen dhe t’u jepet mundësia kandidatëve rezervë për të marrë mandatin.
“Gjykata Kushtetuese nuk është një xhelat, por një nga shtyllat më të rëndësishme të funksionimit juridik e ligjor të vendit. Deputetët duhet ta kuptojnë se përfaqësojnë popullin dhe nuk mund të bllokojnë institucionet. Nëse nuk arrijnë të përmbushin detyrën, nuk meritojnë të jenë në Kuvend,” tha Limaj në emisionin Debat Plus.
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese urdhëron që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve, ndërsa kryeparlamentari të zgjidhet me votim të hapur, me të njëjtin kandidat që mund të kandidojë jo më shumë se tri herë. Seanca konstituive nuk mund të mbahet deri në publikimin e aktgjykimit të plotë, i cili pritet të sqarojë edhe disa çështje të tjera procedurale.
Për më shumë se gjashtë muaj, konstituimi i Kuvendit ka dështuar për shkak të mungesës së marrëveshjes mes partive politike, pasi asnjë subjekt nuk ka siguruar shumicën e nevojshme për të qeverisur i vetëm.