Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar ashpër ndaj ideve për mbështetjen e një qeverie të re të udhëhequr nga Albin Kurti, duke e përjashtuar kategorikisht mundësinë që partia e tij të japë votat për formimin e kabinetit të ri.
“Jo, nuk votoj. Jo me Dimal Bashën,” deklaroi prerazi Limaj, duke iu referuar kryetarit aktual të Kuvendit të Kosovës, të cilin e cilësoi si person të papranueshëm për të përfaqësuar institucionet publike. Ai tha se përfshirja e Bashës në një pozicion të tillë është “fyerje për UÇK-në dhe vlerat e saj”.
“Kush e votoi Dimal Bashën dhe pse? A mund ta imagjinoni një ish-ushtar të UÇK-së që e jep votën, dhe ajo shkon për dikë që ka fyer rëndë UÇK-në? Ky njeri nuk është i denjë as për t’u bërë referent, e jo më për të përfaqësuar shtetin,” tha Limaj me tone të ashpra, duke vënë në dyshim legjitimitetin moral dhe politik të Bashës.
Në vazhdim të reagimit të tij, kreu i Nismës theksoi se për të, Dimal Basha nuk përfaqëson asnjë vlerë kombëtare apo institucionale, duke e quajtur atë “turpin më të madh që i ka ndodhur Kosovës.”
“S’është kryetari im i Kuvendit. Ligjërisht po, por në realitet është turpi më i madh që i ka ndodhur këtij vendi,” tha Limaj.
Ai konfirmoi gjithashtu se Nisma Socialdemokrate nuk ka zhvilluar asnjë takim me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje pas zgjedhjes së Bashës, dhe se partia e tij ka kërkuar shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të Kuvendit.
“Nuk ka votë për qeverisje, as me votat e Nismës. Dua ta shoh këtë si një aksident politik, sepse vendi nuk drejtohet kështu,” theksoi Limaj, duke mbyllur një deklaratë që pritet të trazojë ujërat në skenën politike të Kosovës, në prag të përpjekjeve të Albin Kurtit për të siguruar shumicën parlamentare për formimin e qeverisë së re.
Fatmir Limaj i jep fund çdo dileme – Nisma nuk do ta votojë qeverinë Kurti. Kritikë e fortë ndaj Dimal Bashës, të cilin Limaj e cilëson si simbol të “turpit politik” dhe shembull të degradimit institucional në Kosovë.

