Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas protestës së organizuar nga bashkatdhetarët në Hagë, ku u kërkua lirimi i krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim.
Limaj deklaroi se është në krah të qytetarëve dhe protestuesve pa asnjë rezervë, duke mbrojtur, siç tha ai, vlerat e luftës çlirimtare dhe sakrificën kombëtare.
“Si bashkëluftëtar që kam ndarë orë, ditë dhe beteja me ta që nga fillimet e luftës, e di mirë se historia e Kosovës nuk mund të shkruhet nga akuza të padrejta që duan të njollosin sakrificën. Lufta jonë ka qenë dhe mbetet luftë çlirimtare e drejtë, për liri dhe demokraci, e përkrahur nga miqtë dhe aleatët tanë që njohën të vërtetën e kauzës sonë,” u shpreh Limaj.
Ai shtoi se NISMA ka pezulluar aktivitetet zgjedhore për ditën e sotme, në shenjë solidariteti me protestuesit në Hagë.
“Sot zgjedhim të jemi me ju, me drejtësinë dhe me të vërtetën. Bashkë duhet të punojmë që zëri i popullit të dëgjohet, që sakrifica e një populli të mos njolloset dhe që drejtësia të triumfojë,” përfundoi Limaj.