Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë në ikje lidhur me procesin e përgatitjes së Buxhetit të Shtetit, duke e quajtur situatën “absurde” dhe pasojë të një mazhorance joprofesionale.
Sipas Shalës, Ligji për Qeverinë i proceduar në vitin 2022 dhe i miratuar nga shumica e atëhershme parlamentare, i jep qeverisë në detyrë të drejtën për të propozuar Kuvendit projektligjin për buxhetin — diçka që ai e quan “anomali ligjore”, pasi buxheti përfaqëson dokumentin më të rëndësishëm të politikave zhvillimore të një qeverie legjitime.
“Ky është një absurditet në vetvete, sepse buxheti pasqyron politikat, prioritetet dhe drejtimet zhvillimore të një qeverie me mandat të plotë, jo të një qeverie në largim,” – theksoi Shala.
Ai shtoi se edhe Rregullorja e Kuvendit, e miratuar po ashtu në vitin 2022 nga e njëjta mazhorancë, nuk përcakton asnjë procedurë për shqyrtimin apo miratimin e projektbuxhetit në raste të tilla.
“Kjo dëshmon qartë se kemi pasur një mazhorancë të padijshme dhe joprofesionale, e cila ka miratuar ligje të pazbatueshme në praktikë,” – përfundoi Shala në reagimin e tij.
Burime nga Kuvendi bëjnë të ditur se diskutimet për buxhetin e ri pritet të nisin brenda ditëve në vijim, megjithëse dilemat juridike rreth legjitimitetit të qeverisë mbeten të hapura.

