Konsumatorët në Kosovë po përballen me një situatë alarmante pas detyrimit për të kaluar me dhunë në tregun e lirë të energjisë elektrike. Gjatë muajve të verës ata kanë paguar fatura të dyfishuara, ndërsa në dimër parashikohet që çmimi të katërfishohet, duke goditur rëndë ekonomitë familjare.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe qeveria e justifikojnë këtë si “reflektim të kostove”, por ekspertët e konsiderojnë vendimmarrje të gabuar, të bërë pa transparencë dhe pa përgatitjen e duhur të tregut.
Ndërsa bizneset tashmë po mbyten nga çmimet e papërballueshme, pyetja që ngrihet është: a do të jetë radha e familjeve që të paguajnë më shtrenjtë? Sinjalet e fundit nga ZRRE e lënë të hapur këtë mundësi, duke sugjeruar një rritje të re të çmimeve në dhjetor.
Situata politike e tensionuar, ku Vetëvendosje po reziston ndaj konstituimit të Kuvendit, shihet si tregues se qytetarët do të përballen edhe një herë me goditje ekonomike brenda të njëjtit vit.
Sipas analizave mbi të dhënat pesëvjeçare të sektorit energjetik, dëmi financiar i shkaktuar është tepër i madh dhe pritet të ketë pasoja afatgjata mbi ekonominë e vendit.
Në këtë kontekst, kritikat drejtohen hapur ndaj institucioneve shtetërore. Për shumë qytetarë, tashmë “mafia energjetike ka një adresë të qartë: Qeverinë e Kosovës.”

